Xhamia multifunksionale e Bardhoshit, ka edhe fitnes
Xhamia e Bardhoshit përveç ritualeve fetare që kryhen në të, kohën e fundit po shfrytëzohet edhe për aktivitete të tjera. Banorët e fshatit Bardhosh, hapësirën e xhamisë mund ta përdorin edhe për të bërë fitnes. Në një dhomë me enterier të bukur e me pajisje të ndryshme të fitnesit, aktivitetin fizik mund ta bëjnë edhe gratë, edhe burrat. Përveç kësaj brenda xhamisë organizohen mësime falas për programim, gjuhë të huaja dhe trajnime. E oda e Bardhoshit po përdoret për ta bërë bashkë komunitetin për çaj e të pame.
Nga jashtë, xhamia e Bardhoshit duket si çdo xhami tjetër, por brenda saj, hapësirat përdoren për aktivitete që shkojnë përtej ritualeve fetare.
Për të hyrë, vizitorët duhet të përdorin një kartelë me kod, dhe të drejtën e anëtarësimit e kanë të gjithë banorët e fshatit Bardhosh.
Që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar, xhamia është pajisur edhe me një fitnes, që mundëson kryerjen e aktiviteteve fizike për besimtarët dhe banorët e tjerë.
Fitnesi në këtë xhami është një ambient modern, me pajisje të dhuruara nga komuniteti. Është i hapur me orar të caktuar: nga ora 8:00 deri në 11:45 për gra, dhe nga ora 13:00 deri në 15:45 për meshkuj.
“Kjo gjë është më ndryshe që e kemi bërë por edhe diçka më e re e bërë në kuadër të xhamive. Mirëpo kjo tregon edhe rolin shumëdimensional që e ka xhamia. Qëllimi ynë është edhe socializmi i njerëzve dhe mbajtja e tyre sa më afër njëri-tjetrit e aktiviteti fizik është një akter i rëndësishëm në këtë aspekt. Si ide ka ardhur me kompletimin e xhamisë e kemi bërë edhe sallën e fitnesit. Këtë e ka bërë këshilli i xhamisë dhe po iu ndihmon banorëve këtu shumë është mbështetur edhe materialisht shumë edhe nga besimtarët mirëpo edhe nga banorët e tjerë”, thekson Besnik Llumnica, imam i xhamisë në Bardhosh.
Pagesa mujore për përdorimin e fitnesit është 8 euro për gra dhe 10 euro për burra. Lluminca gjithashtu përmend se ka interes edhe nga moshat më të shtyra për të kryer aktivitet fizik në këtë ambient.
“Jo vetëm në fitnes mirëpo edhe në gjithë hapësirën e xhamisë kanë qasje edhe femrat dhe mendoj që femrat janë shumë më aktive në aktivitete fizike dhe arsimore sesa meshkujt. Edhe në këtë sallë kanë qasje edhe femra, të njëjtat e kanë orarin e caktuar që kanë leje për ta përdorur fitnesin. Mundem me thënë që ka interesim të madh të femrave për të ushtruar sepse janë të vetëdijshme që aktiviteti fizik ka dobi të shumta në trupin e tyre”, thekson Llumnica.
Përveç fitnesit, xhamia ofron mundësi për fëmijët dhe të rinjtë e fshatit, të cilët mund të ndjekin kurse falas për programim, gjuhë të huaja dhe zhvillim personal.
“Kjo është klasa e mësimit në të cilën organizojmë aktivitete e kurse të ndryshme si për gjuhë e po ashtu edhe për programim edhe përveç kurseve fetare këtu po mësojnë nxënësit falas edhe mësime të tjera të lëndëve të tjera. Këtu vijnë mësuese të paguara nga Bashkësia Islame por ka pasur edhe vullnetarë që vijnë e ndajnë diturinë e tyre. Por herë pas here ne organizojmë edhe trajnime për zhvillim personal dhe orientim në karrierë”, tregon Llumnica.
Bardhoshi së fundi është pajisur edhe me odën e fshatit, një iniciativë e Llumincës, që shërben si vend për mbledhjen e komunitetit për aktivitete sociale, si çaj dhe biseda. Po ashtu kjo odë përdoret edhe për të pame.
“Oda ka qenë prezente gjithmonë te ne shqiptarët dhe ka luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Kështu që kemi pasur dëshirë që ta ruajmë traditën dhe ta kemi odën e komunitetit. Ne e shfrytëzojmë për takime të ndryshme kryesisht po përdoret edhe për të pame është shumë komode dhe është një prej punëve të mira që kemi bërë. Shpeshherë ne po mblidhemi këtu edhe për të pirë çaj dhe bëjmë bisedë me banorë”, tregon imami Llumnica.
Përmes përkushtimit dhe kontributit të besimtarëve dhe anëtarëve të tjerë të komunitetit, kjo xhami në Bardhosh ka arritur të ketë një funksion multifunksional.