Xhindet besimtarë a kanë pamje të bukur?

Pyetje: Selamualejkum. Allahu ju shperbleftë me të mirat e xhenetit Firdeus, jua shtoftë diturinë e hairit, ju dhëntë bereqet. Pyetja ime ishte: siç e dini edhe vet me siguri se, Allahu kur e ka urdheruar, iblisin mi ba sexhde Ademit dhe ai ka refuzue, që prej ateherë, Allahu e ka shëmtuar në pamje trishtuese ndërsa në fillim ka qenë shumë i bukur!! Më intereson ta dij nëse keni dituri për këtë, se a janë edhe xhinët besimtarë po në atë pamje?

Përgjigje: Ue alejkum selam, amin për lutjet tuaja.

Së pari: Ibën Kajimi në librin “es-Savaik” ka përmendur fjalë që japin të kuptohet se Iblisi, përderisa qëndronte me melaiket dhe adhuronte Allahun ishte i bukur, por nuk përmend se ka pasur ndonjë bukuri të veçantë, mirëpo kur ai kundërshtoi urdhrin e Allahut, atëherë i dha një shëmti të rëndë pamjes së tij. Prandaj, kur Allahu flet për drurin e xhehenemit Zekum, thotë: “fruti i tij është si koka e shejtanëve”, për të shprehur shëmtinë e tyre ndonëse nuk i ka parë askush, por në përfytyrimin e njeriut kjo është më se e qartë.

Së dyti: Sa i përket pamjes së xhinëve besimtarë themi se ajo çështje është gajb (e fshehtë) për neve si njerëz, Allahu ka thënë: “Ai (xhindi) ju sheh prej nga ju nuk mund ta shihni”; në anën tjetër tekstet fetare nga Kurani dhe Suneti nuk na japin ndonjë përshkrim për pamjen e tyre, atëherë mund të themi se nuk janë të shëmtuar, sepse janë besimtarë, por sa janë të bukur e kështu me radhë është ngarkesë e panevojshme për ne, sepse ajo është një botë e fshehtë që nuk mund të zbulohen imtësi të saj përveçse me argument nga Kurani e Suneti, kurse ajo çfarë flitet dhe shkruhet me detaje lidhur me këtë çështje mendoj se janë besëtytni dhe mashtrime të njerëzve që nuk i referohen teksteve fetare. Allahu e di më së miri.