Rtv Pendimi

Zbërthim Analitik mbi Raportin e KCSS

 

Arian Xhezairi

Zbërdhim analitik mbi ”Raporti për shkaqet dhe pasojet e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak”, më tutje Raporti.

Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se ky shkrim do të mund të nxisë polemikë, e disa do të më fusin në atë apo këtë thes, për hirë të së vërtetës së dukshme duke synuar shpërblimin e Allahut xh.sh., shpreh gatishmërinë dhe dozën e nevojshme të guximit për t’i thënë dy fjalë mbi raportin e sjellur në publik nga Shpend Kursani et al.

Si të Shihet ky Raport?

  1. Pikësëpari është e rëndësishme të kuptohet drejtë se Raporti për nga qëllimi nuk synon të nxjerr në pah anët pozitive të Islamit por, gjithashtu nuk hetohet ndonjë tendencë për t’i bërë ndonjë shtrëmbërim eventual të qellimshëm. Autorët i çasen dukurisë së ekstremizmit fetar Islam nga pikëpamjet e tyre sekulare dhe nga gatishmëria për të hulumtuar mbi këtë dukuri të përfolur në nivel global. Kur të jetë kuptuar kjo, do të jetë shumë e lehtë të mbahet një neutralitet gjatë shfletimit të një përmbajtjeje të këtillë.
  2. Trajtimi i Islamit në rrafshin akademik si shkencë shoqërore kundrejt atij ideologjik si praktikë e mishëruar në përditshmërinë e një individi, janë dy diskurse të ndara. E para mund të trajtohet nga studiuesit e shkencave shoqërore përderisa e dyta vetëm nga njerëz kompetentë, respektivisht hoxhallarët, imamët dhe dijetarët e Islamit. Ky raport renditet në kategorinë e parë dhe për më tepër, për të qenë më cilësorë, përqëndrohet në vetëm një element të ngushtë brenda kësaj ideologjie.
  3. Ky raport nuk është një literaturë fetare. Në të nuk synohet sqarimi i Islamit nga këndi predikues dhe konteksti spiritual, por synohen të vihen në pah dallimet evidente grupore apo/dhe individuale tek praktikuesit e kësaj feje. Edhe pse këto sqarime kryesisht bazohen mbi literaturë bashkohore perëndimore, prapëseprapë ekziston mundësi e dukshme për t’u kthyer në referenca të materialeve shkencore Islame me pranueshmëri globale nga një elitë dijetarësh Islam dhe hoxhallarësh eminent vendas e të huaj.
  4. Sqarimet terminologjike, paraqitjet grafike, shifrat statistikore dhe përkufizimet mbi konceptet e gjetura brenda komunitetit musliman, ky hulumtimi i sjellë nga terreni dhe si të tilla këto të dhëna empirike mund të kundërshtohen vetëm me të dhëna kualitative potenciale të gjeneruara përmes një hulumtimi tjetër të ngjashëm në të ardhmen.

Anët Për Kritikë

  1. Konkludimet mbi BIK-un janë të një natyre të njëjtë me atë të para dy-tri viteve të raportit të Qendrës për Pluralizëm Islam nga Stephen Suleyman Schwartz dhe lozha e tij brenda Kosovës. Për mua një arsye shtesë për të kultivuar një grimcë dyshimi mbi influencën–sado të zbehtë–të botëkuptimeve dhe politikave të jashtme Amerikane, që besoj së janë përdorur si mjet për vlerësim në disa raste të caktuara.
  2. Shfrytëzimi dominues i materialeve perëndimore si referencë për sqarimin e botekuptimeve, dallimeve, dhe praktikave ideologjike brendapërbrenda Islamit. Mbase mund të jetë e pritshme mbi bazën e supozimit se hulumtuesit e përfshirë në këtë Raport kanë mungesë të njohurisë së gjuhës arabe apo kuptimit të litaraturave origjinale të ndërlidhura në bazë të referimeve në këtë Raport.
  3. Janë jo të rralla rastet kur flitet mbi konceptin e ‘fetarizimit’ të pas luftës dhe në mënyre implicite lihet hapësirë të përkthehet si një dukuri negative për shoqërinë Kosovare, por pa u zgjeruar në të dhe pa e sforcuar këtë si argument nëse vërtetë aty aludohet me qëndrime të këtilla.
  4. Perqafimi i fesë nga të rinjët dhe nga populli në pergjithësi, në këtë Raport shpesh paraqitet si ‘shpresë e fundit’ pas nje varg zhgënjimesh të njëpasnjëshme dhe ‘humbje të besimit në institucionet shtetërore’, në vend se të paraqitet si një burim paralel dhe i vazhdueshëm i edukim dhe zhvillimit të personalitetit, gjë që ndoshta mund të nxirret mes rreshtash nga pjesë tjera të Raportit.
  5. Marrja për referencë e artikujve gazetaresk, e veçanërisht citimi i Visar Duriqit si reference kyçe për argumentim mbi ekstremizmin dhe kanalet e tyre të financimit e zhvleftëson peshën dhe kualitetin e përgjithshëm të një punimi të këtij kalibri, kur dihet anshmëria që manifeston personi në fjalë.
  6. Theksimi i vazhdueshem për Talibanët duke i quajtur ‘ekstremistët e dhunshëm’ ngrit debatin për influencë të jashtme në këtë Raport, kur kihen parasysh që ekzistojnë një varg autorësh perëndimor që kultivojnë një bindje krejt tjetër karshi tyre. Yvonne Ridley një autore dhe gazetare Britanike e mbajtur në arrest nga Talibanet për 10 ditë mund të përmendet si rast tipik.

Benefitet Kryesore të Nxjerrura nga ky Raport

  1. Dëshmohet se në Kosovë ekziston konsideratë serioze ndaj institucionit fetar.
  2. Demistifikimi i miteve të shumëta karshi besimtarëve të fesë Islame.
  3. Theksimi tek rekomandimet se hoxhallarët konservativ janë elementi më kredibil për de-ekstremizimin e individëve.
  4. Sqarimi i dallimeve terminologjike nje herë e mirë për opinion e gjërë qytetarë, shoqërinë civile dhe shtresën akademike.
  5. Sforcimi i rëndësisë për ta kuptuar dallimin substancial në mes qëndrimeve ideologjike, përkatësisht ekstremizëm kundrejt konservatorizëm.
  6. Sforcimi i qëndrimit se persekutimi dhe shtypja e një anëshme ndaj një komuniteti të caktuar stimulon rrymat ekstreme.
  7. Citimi i shkollarëve modern perëndimor si Jon Hoover dhe Natana DeLong-Bas të cilët shquhen për studime neutrale dhe konstruktive në studimet e tyre mbi Islamin.
  8. Nxitje e gjërë qytetare dhe institucionale për të shfletuar dhe për t’u pajisur me njohuri të prekshme mbi Islamin dhe dukuritë e ndryshme që mund të thirren në emër të kësaj feje.
  9. Vendosja e theksit te veçant mbi përgjegjësinë kryesore dhe njëherit dështimet në nivel institucional shtetërorë dhe pjesërisht atë fetar.
  10. Kundërshtimi i standardeve të dyfishta dhe hedhja në dritë e rendësisë së çasjes me paanshmëri institucionale ndaj komunitetit musliman për shkak të praktikave fetare, si p.sh. privimi i vajzave me mbulesë nga shkollimi dhe mos pranimi i djemve me mjekër në puna.
  11. Ndriçimi i rëndësisë së marrjes së dijes shkencore fetare nga burime kredibile dhe konsultimi i ideve për përputhje me mesimet parimore fetare Islame.
  12. Neutraliteti i kultivuar në përgjithësi bën që autori dhe hulumtuesit e përfshirë në këtë raport të paraqesin nje korrektësi në trajtimin e shumë fenomeneve dhe përgjithësisht nuk mbështeten në etiketime, kësisoji duke ofruar argumentet pro dhe contra mbi një element të caktuar (ka përjashtime kur ky rregull shkelet natyrisht).
  13. Potencimi i qartë se përpos në raste të izoluara, përjgithësisht xhamitë janë vend me një rol kritik dhe kyç në kalitjen ideologjike të të rinjëve dhe grupmoshave të tjera. Në saje të kësaj nga Raporti mund të nxirret se numri më i madh i xhamive mund të jetë faktor me ndikim në procesin e de-ekstremizimin.
  14. Citoj Raportin: “Mustafa Tërniqi, imam në Durrës: nëse imamët nuk u qëndrojnë afër ndjekësve, këta lehtë mund të shkëputen dhe të tërhiqen prej imamëve tekfirë të cilët ofrojnë përgjigje të thjeshta për pyetje të ndërlikuara, dhe sillen shumë mirë në prenë e mundshme.” Kjo mund të duket e papëlqyeshme, por mendoj se ka shumë rëndësi ngase në këtë kontekst në një mënyrë i faktorizon hoxhallarët në sferën shoqërore dhe atë të sigurisë që të rrisin përkushtimin e tyre të përgjegjësisë shoqërore.

Të Dhëna Interesante

  • Një koincidencë interesante është klasifikimi grafik në piramidën e Raportit për kosovë dhe emërtimet përkatëse. Në saje të përkrahjes që i jepet ideve konservatore–të padhunshme ky Raport, grupi konservator gjendet i vendosur në mes të piramidës. Nuk e sjell këtë si argument por si kuriozitet që lidhet me ‘mesataren’ e rekomanduar në Islam, që i bië se konservatorët apo sic njihen në xhematë si ‘pasuesit e sunnetit’ paraqiten edhe si ‘mesi i artë’ i kësaj paraqitje sekulare.
  • Interesante gjithashtu ishte lidhja logjike e ideve tekfiriste si element joshës për personat me prapavijë kriminale përmes praktikave intimiduese që tekfirët i veprojnë, si p.sh. vjedhje, sulme, mashtrime. Në njëfarë mënyre Raporti e sjell këtë si argument se t’i bashkangjitesh ISIS-it ofron një terren të gatshëm për të ushtruar aktivitetin e mëparshëm për keta individ.
  • Me terhoqi vemendjen–edhe pse skajshmërisht qesharake–se një dokument si ky sjellë rekomandime për një tolerancë ndërpersonale brenda domejnit të familjes, pra uljes së tensionit në mes të familjarëve laik dhe atyre fetar. Nuk habitem se gjendet në brendësi të ketij hulumtimi, por një predikim që parreshtur hoxhallarët e ngrisin në piedestalin më të lartë të etikës bazë të mirësjelljes individuale e që rezulton të jetë injoruar në masë.
  • Ngritja e rëndësisë së BIK-ut si institucion qëndror për koordinim të plotë brenda komunitetit musliman. E veçanta është se vërehet nevojë për BIK-un që të përqendrohet në zgjedhjen e imamëve të kualifikuar. Citoj nga Raporti: “Ahmed Kalaja, një imam në Tiranë, thotë se disa imamë (jotekfirë) duhet të mbahen po aq përgjegjës, sepse shkojnë dhe merren me ‘fjalë të kota’ dhe ceremoni xhenazesh në vend se të përqëndrohen në mësimet e duhura dhe themelore islame, të cilat ofrojnë përgjigje për pyetjet praktike dhe teologjike që adhuruesit zakonisht i kanë.”

Përfundim

Për t’i vënë pikën këtij zbërthimi, mendoj që studimi i këtillë është jashtëzakonisht i mirëseardhur për ta ngritur në nivel akademik diskursin shoqërorë, respektivisht për t’i bërë një nderë fesë tonë Islame duke e betonuar rëndësinë e argumentit përmbi interpretetimin emocional. Kjo e fundit diçka që parapëlqehet nga të dy kampet ekstremiste; islamofobe dhe fetare.

Ajo çfarë marr me vete nga ky raport janë këto tri pika

  1. Sot trajtesa e fenomeneve shoqërore të ndërlidhura me fe është ngritur në një dimension krejt tjetër dhe besoj tejet më të favorshëm për të gjithë palët e përfshira. Ky Raport ndërkaq, duhet të shërbejë si material stabil për mediumet vendore që shkallën e debatit sa herë që është e nevojshme ta përqëndrojnë në nivel të njëjtë me cilësinë e të dhënave të këtij Raporti. Gjithashtu, do të duhet t’i shukat shumë zëra që shpalosin vrulle emocionale islamofobe dhe antiteiste në Kosovë sa herë që flitet për këto tema, ngase gjer më tani, të tillët kanë provuar ta etiketojnë tërë komunitetin e gjërë musliman me terme që shumë bukur u sqaruan për herë të parë nga një punim i këtillë serioz. Këtu e tutje trajtimi i Islamit si bazë teologjike, apo të themi më shumë si shkencë shoqërore u bartë edhe tek shtresa tjetër e studiuesve serioz dhe jo vetëm tek imamët apo brenda BIK-ut siç ka qenë kryesisht deri më sot.
  2. Sa i përket institucionit të Hoxhës, besoj fuqimisht se nga tash e tutje duhet të konsiderohen dhe të mirren parasysh dy pika serioze. E para) Hoxha duhet të jetë kalibër i shquar akademik. Çfarë nënkuptoj me këtë është se një Bachelor ne Shkencat Islame për t’u ballafaquar në diskursin publik më nuk rezulton të jetë e mjaftueshme; E dyta) deri më tani hoxhallarët janë akuzuar me pretekstin se kinse po përzihen në tema politike dhe të tjera që ‘nuk iu takon’ të mirren me to. Me faktorizimin që i bëhet personalitetit të hoxhës si faktor me rol kyç nxjerrur nga ky studim, vlerësoj se kjo perde tash më praktikisht nuk ekziston. Pra, hoxha si njeri i gjendur në mes të popullit, do të duhej të pajisej me njohuri të përgjithshme kredibile për ti qëndruar në ballë në debate të ndryshme polemizimit të fenomeneve të caktuara që e ndikojnë komunitetin që ata përfaqësojnë.
  3. Së fundi, duke qënë që si shoqëri është thënë shumë herë se nuk ka një nivel të kënaqshëm të leximit, frika ime bie mbi atë se ky Raport mund të shndërrohet lehtësisht si një doracak esencial për disa individ mendjelehtë dhe disa injorantë, që në baze të përvojave të tyre ditore të arsyetohen nesër, duke iu referuar këtij Raporti dhe duke e përdorur si vegël për t’i klasifikuar besimtarët si të atillë apo të këtillë. Kjo, ja që do të ishte një pasojë problematike e vërtetë.

Dhe Zoti na ndihmofte të gjithëve. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të gjithë ne.

 

TË NGJAJSHME