Mbetje fosile nga një elefant i ngordhur prej rreth tetë milionë vitesh janë zbuluar në afërsi të Disanit të Poshtëm të Negotinës.
Sipas shqyrtimeve të para, me siguri bëhet fjalë për mbetje të një kafshe me peshë rreth 10 tonë, transmeton ATSH njoftimin e agjencisë maqedone të lajmeve, MIA.
Ministri maqedonas i Kulturës, Robert Allagjozovski deklaroi se bëhet fjalë për një zbulim të madh paleontologjik, në bashkëpunim me shkencëtarët e Muzeut Natyror të Maqedonisë dhe bashkëpunëtorët e tyre nga Bullgaria.
“Maqedonia ka disa zbulime të rralla të jashtëzakonshme dhe kjo është një nga zbulimet më spektakolare”, tha Allagjozovski.
Ai shtoi se Ministria e Kulturës do ta mbështesë punën e këtij ekipi të vlefshëm hulumtuesish.