Zekati i fitrit

Zekatul fitri në Ramazan është emërtuar kështu për shkak se për të është Fitrër Bajrami dhe lidhja me të është  si lidhja e diçkaje  me shkakun e saj. Argument për obligimin e tij është Kurani, Suneti dhe Ixhmaja. Allahu  i Madhëruar thotë:

“Ka shpëtuar ai që e pastron…”

Disa nga selefët thonë se këtu  fjala e përmendur “tezekka” ka të bëjë me dhënien e zekatul fitrit.

 “Dhe jepni zekatin…”

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka bërë farz sadakanë e fitrit në një masë sa një sa’ (katër grushta) grurë ose një sa’ shirij, qoftë i vogël ose i madh, burrë ose grua, i lirë ose rob. Gjithashtu, për zekatin e fitrit  dhe domosdoshmërinë e dhënies së tij kanë folur shumë dijetarë  të ixhmasë së muslimanëve.

Zekatul fitri është detyrë për çdo musliman, qoftë i vogël ose i madh, burrë ose grua, i lirë ose rob, duke u bazuar në  hadithin të cilin  e transmeton Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) të cilin e përmendëm më parë. Gjithashtu, në këtë hadith është përmendur edhe sasia e caktuar për cdo person një sa’ (katër grushta) si dhe lloji nga ajo që më tepër ushqehen njerëzit në atë vend qoftë ajo: grurë, hurma, ullinj apo tjetër. Sikurse që na ka treguar edhe për kohën e dhënies së tij. Zekatul fitri jepet ditën e Bajramit para se të falet namazi i Bajramit. Koha më e mirë për dhënien fillon pas akshamit të natës së Bajramit deri sa të falet namazi i Bajramit, mirëpo mund të jepet edhe para kësaj dite (një ose dy ditë). Transmeton Buhariu se sahabët e kanë dhënë edhe një ditë ose dy ditë para Bajramit. Nëse dhënia e zekatul fitrit nuk jepet deri në ditën e Bajramit para se të falet namazi i Bajramit, atëherë obligohet ta japë atë si kompensim, duke u bazuar në hadithin  e  Ibn Abasit :

 “Kush e jep atë para namazit, ajo është sadaka e pranuar dhe kush e jep pas namazit ajo është një sadaka prej sadakave.”

Muslimani duhet të mos neglizhojë për kohën e dhënies së saj, e nëse neglizhon , atëherë ka kundërshtuar praktikën e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) Muslimani e jep për vete dhe për ata që ai i furnizon nga gratë dhe farefisin, si pasojë e përgjithshmërisë së fjalës së Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)

“Jipni  Fitrin për ata që i mbani me pasuri!”

Preferohet dhënia për fëmijën që është në bark, për shkak se Uthmani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)  ka vepruar ashtu.

Nëse ai që e ka obligim tjetërkush dhënien e fitrit për të, e nxjerr nga ai që e ka obligim këtë pa lejen e tij, është e lejuar, ngase kjo i është bërë obligim i parë atij kurse tjetri është zëvendësim dhe jo bazë. Nëse një person jep fitrat për dikë që nuk e ka obligim dhënien për të, lejohet nëse është me lejen e tij, kurse pa leje prej vet personit, nuk lejohet. Për atë që e ka obligim dhënien e fitrave për tjetrin duhet dhënë për vete dhe për tjetrin në vendin ku gjindet edhe nëse ai tjetri është në vend tjetër.

E pamë të arsyshme të përmendim këtu disa fjalë mbi llojin e asaj që jepet për fitër shkëputur  nga Ibn Kajim (Allahu e mëshiroftë!) i cili thotë:

“…Këto ishin ushqimi më i shpeshtë në Medine. Në vendet dhe krahinat ku ushqimi është tjetër, atyre u takon të japin një sa’a nga ai ushqim. Dhe nëse ushqimi nuk është nga grurërat, sikur qumështi, mishi dhe peshku, duhet të japin fitrat e tyre nga ushqimi që kanë në atë vend, çfarëdo lloji qoftë ai. Kjo është fjala e shumicës së dijetarëve dhe është e drejtë që nuk lëviz dot. Pra, lejohet edhe dhënia miell edhe pse hadithi nuk e cek atë, kurse përsa i përket dhënies së ushqimit të gatshëm ose bukës, ajo edhe pse mundet të jetë më e dobishme për të vobektët nga shkaku i rëndësisë dhe ngase nuk qëndron për një kohë të gjatë, munden drithërat të jenë më të dobishme për ta, sepse qëndrojnë më gjatë.” Përsa i përket dhënies së fitrave në vlerën e ushqimit, të jipet të holla në vlerë të asaj sasie; është veprim në kundërshtim me sunetin dhe kjo nuk është e lejuar, pasi nuk është përcjellur nga i dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e as nga ndonjëri prej sahabëve.

Imam Ahmedi thotë: “Nuk jipet vlera!” I thuhet atij se disa njerëz thonë: “Umer ibn Abdulazizi e ka marrë atë në vlerë!” Tha: “E lënë fjalën e  të dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) anash dhe thonë se ka thënë filani. Ndërsa Ibn Umeri transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka obliguar…..” (hadithi i lartëpërmendur)

Sadakatul fitri duhet të arrijë tek konsumuesi në afatin e caktuar për dhënien e tij, ose tek i autorizuari i cili është i caktuar për marrje në zëvendësim të tij. Nëse nuk gjen të autorizuar në afatin e caktuar i obligohet dhënia ndonjë personi tjetër.

I lutemi Allahut  Fuqiplotë të na i falë mëkatët tona, të na e pranojë agjërimin  dhe të na bëj prej atyre që japin gjithmonë sadaka!

 

Përgatiti: Erion Sula