Amir B. Ahmeti
Ngërçi politik, ngrirje e pozitave, sui generis për gati secilin veprim të partive tona politike. Tani të gjithëve na është bërë e qartë se vendit tonë, ky ngërç politik, po i shkakton dëme të mëdha ekonomike, politike e integruese. Por si të dilet nga ky labirinth, që si pasojë e legjislacionit të ngurt, por edhe si pasojë e interpretuesëve të ndikuar politikisht nuk po gjejmë rrugën për të dalë. Tek e fundit, juristët thonë se nëse një ligj nuk i bie tamam një populli, ndryshohet ligji dhe jo populli. Se kemi nevojë për ndryshime në legjislacion, duke filluar nga kushtetuta, është tani mëse e qartë. Por derisa të kemi një kuvend që do të funksionoi normalisht e të merret me ndryshimet ligjore e kushtetuese, tani duhet detyrimisht të gjejmë një zgjidhje edhe me këtë legjislacion që kemi.
Shumë prej neve, mendojmë se vendimi i gjykatës kushtetuese për postin e kryekuvendarit ishte joprofesional, apo thënë ndryshe, interpretim i ndikuar politikisht. Madje, kjo do të vazhdoj të ndodhë sa herë që në pozita të tilla të rëndësishme vendosim njerëz jokompetent. Një fjalë popullore thotë: “puna n’asgja, dami hazer”. D.m.th. pakujdesia jonë dhe dëmet vijnë njëpasnjëshëm.
Tani që nuk mund të kontestohet ky verdikt i Gjykatës Kushtetuese, duhet të gjindet një zgjidhje brenda suazave të atij vendimi. Por përderisa PDK-ja kursesi nuk po i bënë votat, atëherë i mbetët Presidents të gjejë një alternative të re. Konsideroj se jo vetëm që mundet, por edhe e ka obligim kushtetues të orientoj grupet parlamentare në zgjidhjen e ngërçit politik. Në bazë të kompetencave të saja, të garantuara me kushtetutë, ajo duhet të kërkoj edhe një sqarim shtesë nga kushtetuesja për pikën 127 të aktgjykimit, si dhe sqarim për këtë bllokadë institucionale, madje mundësinë e zgjidhjes së ngërçit me shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Në këtë rast, fillimisht, kushtetuesja do të duhej t’i jepte të drejtën bllokut LVAN të procedoj me kandidatin e tyre për kryekuvendarin, nëse pas dy-tri tentativave të PDK me koalicionin nuk i bëjnë votat. Kështu do të zgjidhej ky ngërç politik i tejzgjatur. Kështu, LVAN si koalicion paszgjedhor do të ishte në pozitë, ndërsa PDK me koalicionin parazgjedhor do të shkonte në opozitë.
Përndryshe, sqarimi për çështjen e dytë, kushtetuesja do të udhëzonte Presidenten për të shpallur zgjedhje të reja, si alternativa e fundit konstitucionale për të dal nga ngërçi.
Të dy sqarimet nga kushtetuesja, përveç që janë obliguese për Presidenten, që ajo të luaj rolin e saj kushtetues, ato janë edhe në interes të vetë asaj. Pse mendoj se janë në interes të Presidentes, kam ardhë te ky konstatim, që prej momentit kur Avokati i Popullit, kërkoi sqarim nga kushtetuesja se a e ka shkelur presidentja e vendit kushtetuten, kur ua vazhdoi mandatin gjyqtarëve ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Tani edhe pse dyshoj se gjyqtarët ndërkombëtar do të votonin kundër pozitave të tyre, për hirë të drejtësisë aq të brisht të vendit tonë, kisha pas dëshirë që ata të shikonin përtej vetës së tyre, të thonë të vërtetën dhe të gjykojnë drejt. Nëse vendosin kështu, atëherë Presidentja si shkelëse e kushtetutës do të duhej të jepte dorëheqje. E në mungesë të kryekuvendarit, i cili do të ishte zëvendësimi i parë në presidencë, atëherë në atë pozitë do të vinte zëvendësimi i dytë e që i bie të jetë vetë kryetari gjykatës kushtetuese, Enver Hasani.
Pa u marrë shumë me një fatkeqësi të tillë, që Hasani të ishte ushtrues detyre i presidentit të vendit, kjo situatë do të iniconte edhe një pazar tjetër politik. Kryetari i PDK-së, për të lejuar LVAN-in që të merrte postin e kryekuvendarit dhe të kryeministrit, si kompromis për këtë do të kërkonte postin e presidentit i cili do të votohej në Kuvendin e Kosovës menjëherë pas konstituimit të Kuvendit dhe të Qeverisë.
(Autori është magjistër i shkencave juridike dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës)