Rtv Pendimi
Ilaçe për zemrën / Rukja Probleme shpirtërore & shoqërore

ZILIA DHE DËMI I SAJ

Zilia është cilësi e qortuar dhe e ligë. Allahu na paralajmëroi se është nga cilësitë më të mëdha të sherrit dhe na paralajmëroi që të mos përshkruhemi me këtë cilësi dhe t’i pastrojmë shpirtrat nga ajo.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, paralajmëroi duke thënë: “Mos ia keni zili njëri-tjetrit”.

Me një hadith tjetër: “Kanë rënë te ju sëmundjet e popujve para jush, zilia dhe urrejtja”.

Me një hadith tjetër: “Ruajuni zilisë! Ajo i djeg të mirat, ashtu si i djeg zjarri drunjtë apo barin”.

Zilia është cilësia e njerëzve më të këqij. Është cilësi e Iblisit, i cili ia kishte zili Ademit, alejhi selam, ngase Allahu e krijoi me duart e Veta, melekët i ranë në sexhde dhe e bëri të jetë banor i Xhenetit. Nga zilia që e kishte, nuk e respektoi urdhrin e Allahut t’i bie Ademit, alejhi selam, në sexhde, dhe për këtë u largua nga mëshira e Tij, mirëpo, arriti me dredhitë e tij ta largon Ademin, alejhi selam, nga Xheneti.

Zilia ishte shkaku që e nxiti njërin nga bijtë e Ademit ta vret të vëllain padrejtësisht, kur Allahu i dhuroi begati dhe ia pranoi atij kurbanin. Allahu na e qartësoi lajmin e tyre në Kur’an dhe na paralajmëroi nga kjo sëmundje dhe nga gjurmët e saj!

Zilia është cilësi e çifutëve. Allahu e paraqiti në shumë vende në Kur’an se, çifutët ia kishin zili të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për profecinë dhe për pozitën e lartë të cilën ia dhuroi Allahu. Për këtë arsye e mohuan, edhe pse e dinin mirë se ai ishte i Dërguar i Allahut. Ata ia kanë zili edhe këtij umeti për atë që ia dhuroi Allahu nga udhëzimi dhe besimi. Allahu thotë: “Shumë nga ithtarët e Librit, prej zilisë që kanë në vete, dëshirojnë që t’ju kthejnë nga besimi në mosbesim, tani që e vërteta është e qartë për ata”. (El-Bekare: 109)

Zili do të thotë të urresh arritjen e një begatie apo të mire deri te tjetri, dhe ti, të shpresosh që ajo të largohet nga ai.

Zilia lë gjurmë të këqija:

– Kundërshtimi i Allahut në përcaktimin e Tij, akuzimi i Allahut në ndarjen e rizkut mes robërve të Tij, ngase, ziliqari e sheh se, tjetri nuk është më meritor se ai për atë që ia dha Allahu nga furnizimi.

– Ziliqari e mohon urtësinë e Allahut në drejtimin e çështjeve. Allahu jep dhe merr për një urtësi madhështore, kurse ziliqari e mohon atë urtësi.

– Zilia e trashëgon urrejtjen mes njerëzve dhe ziliqari e urren tjetrin për shkak zilisë së tij. Kjo bie ndesh me detyrshmërinë e vëllazërisë mes besimtarëve. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia keni zili njëri-tjetrit, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit (gjatë zemërimit), as mos i shkëputni marrëdhëniet tuaja dhe bëhuni robër të Allahut, vëllezër të mirëfilltë”.

Dëmet e zilisë:

– Zilia e nxit ziliqarin të tenton që t’ia largojë begatinë atij që e ka zili në çfarëdo mënyre, qoftë ajo edhe me vrasjen e tij, ashtu siç na lajmëroi Allahu për dy bijtë e Ademit, alejhi selam, dhe tha: “Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras”. Tjetri tha: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit”. (El-Maide: 27) Në fund, e bëri krimin më të madh duke e vra të vëllain, dhe duke e derdh gjakun i pari në tokë, kështu që ai do të merr një pjesë të gjynahut mbi supet e veta për çdo shpirt që do të vritet padrejtësish deri në Ditën e Kiametit. Sebepi i gjithë kësaj dhe ajo që e nxiti ishte zilia.

– E pengon ziliqarin ta pranojë të vërtetën kur vjen nga ana e atij që e ka zili. Kjo e bën të vazhdon në të kotën, ku në të është shkatërrimi i tij, ashtu si u bë edhe me Iblisin, ku nga zilia nuk i ra në sexhde Ademit, alejhi selam, dhe nuk e respektoi urdhrin e Allahut, dhe si ndëshkim, u largua nga mëshira e Allahut dhe u mallkua përgjithmonë.

– E nxit ziliqarin të bie në përgojim dhe bartje të fjalëve, duke e përgojuar dhe duke bartë fjalë dhe duke shpifur për atë që e ka zili. Përgojimi dhe bartja e fjalëve janë dy cilësi të liga dhe mëkate të mëdha!

– Zilia e nxit ziliqarin të bëj atë që është e ndaluar me fe. Ziliqari, i verbëruar nga zilia e tij, ka mundësi që vëllain e vet musliman ta dëmtojë në tregti, në shitblerje, në fejesë dhe martesë apo në punë. E tëra kjo, e bën që të mirat e tij dhe shpërblimet të digjen, ashtu siç tha edhe i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Ruajuni zilisë! Ajo i djeg të mirat, ashtu si i djeg zjarri drunjtë apo barin”.

Nga dëmet e zilisë; e bën që ziliqari të jetë përherë në brengë dhe pikëllim kur i sheh begatitë që Allahu ia zbret robërve të Tij, kurse ai, nuk e do atë dhe e urren, dhe s’mundet t’i përballon, dhe përfshihet nga brenga dhe pikëllimi.

Nga dëmet e zilisë; zilia është sebep i shkatërrimit të shoqërisë. Prandaj i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kanë rënë te ju sëmundjet e popujve para jush, zilia dhe urrejtja”.

O ju robërit e Allahut! Kush nga ju e gjen në vete se ka zili, le të shpejton në largimin e saj duke e rikujtuar se zilia është dëm për veten e tij, për fenë e tij dhe për dynjanë e tij, dhe se ai s’mundet t’i bëj dëm atij që e ka zili më shumë se atë që e ka caktuar Allahu për të. Le ta rikujtojë se çështjet janë në dorën e Allahut dhe se e tij mbetet të kërkon nga Allahu begatitë dhe mirësitë e Tij. Allahu thotë. “Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët: meshkujt do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar e po ashtu edhe femrat do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar. Kërkoni prej Allahut nga mirësitë e Tij. Vërtet, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë”. (En-Nisa: 32)

Shejh Dr. Salih El Feuzan

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Të ngjajshme

ZILIA DHE DËMI I SAJ

Irfan Jahiu

SA I SHTRENJTË QË ËSHTË LOTI QË DEL NGA FRIKA E ALLAHUT

Irfan Jahiu

VDEKJA

Irfan Jahiu

PSE PIKËLLOHESH ?!

Irfan Jahiu

DEGËT NGA ARI

Irfan Jahiu

LUMTURIA ËSHTË E THJESHTË PO NE NUK DIMË SE SI TA GJEJMË

Irfan Jahiu

SHPIRTI IM, TË LUTEM PËR HIR TË ALLAHUT TË MË SHPËTOSH!

Irfan Jahiu

VDIQ PRANË VËLLAIT TË VET NË VARR

Irfan Jahiu

PLAGA E GJUHËS ËSHTË MË E RËNDË SESA E TRUPAVE

Irfan Jahiu

* Nëse radiot nuk funksionojnë, Kliko KËTU