Rtv Pendimi

Zoom, transkriptimet e drejtpërdrejta pa pagesë

Zoom, transkriptimet e drejtpërdrejta pa pagesë

Zoom, aplikacioni i mbledhjeve në distancë, përmes një postimi në blog ka njoftuar se do të mundësojë transkriptimet e drejtpërdrejta pa pagesë në vjeshtën e vitit 2021.

Gadgets 360, faqe kushtuar të rejave teknologjike, sqaron se funksioni deri më tani është kundrejt pagesës. Ai mundëson që përdoruesit të shohin titra në kohë reale gjatë thirrjeve video.

Tipari i transkriptimeve të drejtpërdrejta mundëson shmangien e keqkuptimeve gjatë konferencave dhe takimeve në distancë të zhvilluara midis përdoruesve nga vende të ndryshme.

Edhe pse tipari i ri do të përhapet gjerësisht për të gjithë përdoruesit në vjeshtë, Zoom-i ka menduar që ta bëjë të disponueshëm për disa nga përdoruesit që e kanë nevojë të domosdoshme këtë tipar.

Lidhur me përdoruesit që kanë nevoja urgjente për tiparin e teanskriptimit të drejtpërdrejtë, Zoom-i u kërkon atyre të regjistrohen përmes një formulari në internet duke kërkuar qasje pa pagesë.

Menjëherë pas kërkesës, Zoom-i do të mundësojë atë veçori falas për ta. Më pas, me aktivizimin e transkriptimit të drejtpërdrejtë te llogaria e përdoruesit që ka bërë kërkesën, do të dërgohet një e-mail i detajuar konfirmimi.

Sipas Gadgets 360, transkriptimi i drejtpërdrejtë do të ofrohet fillimisht në gjuhën angleze. Megjithatë, saktësia e tij do të varet nga shumë ndryshore si zhurma në sfond, qartësia e zërit të folësit, aftësia e tij për të folur në gjuhën angleze dhe dialektet specifike të një komuniteti.

TË NGJAJSHME