Me një rezultat të ngushtë, zviceranët votuan në referendum në favor të ndalimit të mbulimit të fytyrës në publik, duke përfshirë nikabin e mbajtur nga gratë muslimane, transmeton Anadolu Agency (AA).
Referendumi kombëtar i quajtur “ndalimi i nikabit”, i nisur në vitin 2016 nga një komitet iniciues me prirje të djathtë, u pranua nga 51,2 për qind e atyre që votuan, ndërsa jehona e daljes ishte 51,4 për qind e votuesve.
Referendumi u paraqit nga një grup i lidhur me Partinë Popullore Zvicerane të krahut të djathtë, e cila bëri fushatë me parulla siç është “Stop ekstremizmit”, ndërsa në disa zona vendosën postera të grave muslimane fytyra të mbuluara.
“Është një humbje për qeverinë dhe shumicën parlamentare, të cilët kundërshtuan ndalimin me arsyetimin se ishte i panevojshëm, si për shkak të numrit të ulët të mbajtëseve të nikabit në vend, ashtu edhe për shkak se kantonet mund të rregullojnë me ligje çështje të tilla vetë”, shkroi Swissinfo , faqja e transmetuesit kombëtar zviceran.
Këshilli Qendror Islamik i Zvicrës (ICCS) e quajti rezultatin një “zhgënjim të madh për të gjithë muslimanët e lindur në Zvicër dhe që u rritën këtu”.
Farah Ulucay, sekretari i përgjithshëm i ICCS, tha se votimi “ka patur sukses në ankorimin e islamofobisë së përhapur në Zvicër dhe në kushtetutë”.
Qeveria argumentoi kundër ndalimit, duke thënë se nuk i takonte shtetit të diktonte se çfarë veshin gratë, por vota e shtyn ndalimin në kushtetutë.
Rreth 5 për qind e gjithsej 8,6 milionë banorëve të Zvicrës janë muslimanë, shumica e tyre kanë origjinë nga Turqia, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova.
Hulumtimet e kryera nga Universiteti i Lucernit para votimit, zbuluan se pothuajse askush në Zvicër nuk mban burka dhe vetëm rreth 30 deri në 150 gra mbajnë nikab.
Disa komentatorë vunë në dukje se bartësit më të zakonshëm të burkas dhe nikabit janë turistet që vizitojnë vendin nga shtetet e Gjirit në verë.
Dega zvicerane e Amnesty International denoncoi iniciativën “e cila diskriminon një komunitet të veçantë fetar” dhe tha se kjo nxit pa nevojë përçarjen dhe frikën.
Votimi u komplikua nga disa feministe, si dhe nga disa muslimanë, të cilët thanë se do votonin për ndalimin.
Walter Wobmann nga Partia Popullore Zviceriane, i cili mbështeti ndalimin, tha se nikabi është një “simbol i vlerave islamike anti-demokratike, të cilat nuk kanë vend në Zvicër”.