Shkencëtarët kanë bërë të ditur se në 30 vitet e fundit është zvogëluar në masë të madhe popullsia e pinguinëve mbretër, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një studimi të publikuar në revistën “Antarctic Science”, popullsia e kolonisë më të madhe të pinguinëve mbretër që jetojnë në ishullin francez Cochons në jug të Oqeanit Indian, është zvogëluar për 88 për qind nga vitet e 80-ta.
Gjatë vrojtimeve nga ajri dhe përmes satelitëve në ishull në periudhën mes viteve 2015-2017, është vërejtur prania e 60 mijë çifteve të pinguinëve, ndërkohë që nga vrojtimet e ngjashme në vitet e 80-ta ishin rastisur rreth 500 mijë çifte pinguinësh.
Studiuesit kanë thënë se janë të panjohura shkaqet që kanë çuar në rënien e madhe të popullsisë.
Pinguini mbret, i cili është lloji më trupmadh pas pinguinit perandor, jeton në ishujt me temperatura më të moderuara në veri të Antarktidës.
Studimet e bërë në lidhje me llojet e shpezëve në rajon kanë treguar se popullata e shpezëve është zvogëluar si pasojë e ndryshimeve klimatike.