Hoxhë Rashit Zylfiu

Rashit Zylfiu u lind më 22.09.1979 në Gjilan. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes. Shkollën e mesme, Medresenë “Alaud-din”, e kreu po në Gjilan, me gjeneratën e parë, në vitet 1994-1998. Studioi më pas në Universitetin Islamik Imam bin Saud në Riad, Arabi Saudite, në Fakultetin e Sheriatit.

  • ·        Mësimet e para

Mësimet e para i ka marrë tek hoxha Halim ef …., imam i Xhamisë së Madhe, kur ishte në klasën e katërt të shkollës fillore, për ta vazhduar këtë rrugë tek mualimi Ilmi ef Krasniqi me mësimin e shkronjave arabe. Asaj kohe mësimi zhvillohej në ambientet e Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan. Në vitin 1993 ka kryer leximin e Kur’anit (hatme) tek hoxha Dr. Sylejman Osmani, imam i Xhamisë së Madhe. Sistemi i zhvillimit të mësim-besimit ka qenë kryesisht gjatë pushimeve verore.

  • ·        Çfarë e ka shtyrë të zgjedhë këtë profesion?

Në gjirin familjar nuk ka dikë tjetër që ka qenë hoxhë. Dashuria e madhe për mësimet e fesë në fillim, pastaj respekti për hoxhallarët e shtynë që t’i bashkohet këtij karvani dhe të bëhet njëri ndër shërbëtorët e fesë islame në Kosovë.

  • ·        Udhëtimet në rrugën e diturisë

Pas përfundimit të medresesë në vitin 1998, merr rrugën për në tokat e Shamit, në Damask të Sirisë, për t’u regjistruar në Institutin e Gjuhës Arabe për të Huaj, për ta plotësuar pastaj në Universitetin Zerka të Jordanisë për shkak të kushteve ekonomike. Lufta e vitit 1998/99 në Kosovë bën që të mos ndihet mirë në këto vende dhe kthehet të japë kontributin modest karshi popullit. Në fillim të vitit 1999, i ndërpret studimet dhe së bashku me shokët merr rrugën për në Shqipëri, ku shërben si përkthyes në kampet që ishin nën menaxhimin e organizatave arabe, gjegjësisht në qytetin e Beratit. Në vitin 2000 fiton bursën studentore  në Universitetin Imam Muhamed bin Saud në Riad, në Institutin e Gjuhës Arabe.

  • ·        Aktivitetet si student

Ishte anëtar i Unionit të Studentëve Shqiptarë në Riad dhe aktivist i shumë aktiviteteve studentore. Koordinator dhe përkthyes pranë Komitetit të Bashkuar Saudit me zyrë në Riad për mysafirët-haxhilerët e Mbretit nga Kosova për katër vite radhazi.

  • ·        Veprimtaritë kulturore dhe humanitare

Rashit Zylfiu është i njohur edhe si aktivist në fushën kulturore dhe humanitare. Ishte anëtar i “OJQ Njëshmëria” Gjilan dhe nga viti 2008 kryetar i saj. Në organizatë është shquar për organizimin e shumë aktiviteteve kulturore, si debate, kurse intensive, ligjërata, trajnime etj. Në segmentin humanitar shquajmë përkujdesjen për familjet skamnore dhe jetimët. Është koordinator i media – projektit “Margaritarët e Ramazanit”, që transmetohet ne TV Vali.

  • ·        Librat e shkruar dhe të përkthyer

Në fushën e studimeve dhe të përkthimeve ka disa libra, si: “Ajka e kuptimeve kuranore, komenti i 10 kaptinave të fundit”, i pabotuar ende “Dispozitat e akikës në Islam”, i pabotuar; “Ta mësojmë Islamin”, botuar në vitin 2010; “Mburoja e fëmijës musliman”, botuar në vitin 2013; “Familja ime”, i pabotuar; “E dua Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem”, i pabotuar. Ka përkthyer librin “Pozita e Sunetit në Islam”, botuar në vitin 2012 dhe “Përmendja e Allahut gjatë ditës”, botuar në vitin 2013.

  • ·        Punime dhe studime

Rashit Zylfiu ka qenë redaktor i rubrikës së “Fikhut-Jurisprudencës Islame” në revistën “Albislam” në vitet 2009-2010. Disa nga punimet e tij në këtë revistë janë: “Akika, sunet i harruar”, “Dajak apo edukim për gruan”, “Dispozita e mysafirllëkut”, “Dispozitat e nijetit-qëllimit”, “Hixhabi farz”, “Lehtësimet që solli Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem”, “Pas vështirësisë vjen lehtësimi”, “Pendimi nga përfitimi i pasurisë haram”, “Testamenti në Islam”, “Përzgjedhja në disa çështje bashkëkohore mjekësore”, “Regjimi iranian dhe shtirja e madhe”, “Si të llogaritësh zekatin e pasurisë”, “Trashëgimia e femrës në Islam”, “Xhami- Fobi”, “Xhamitë, ato vende të dashura”. Në vitin 2012 ka qenë redaktor i “Buletinit informativ” nr. 01 pranë Këshillit të Bashkësisë Islam Gjilan. Ka përkthyer me dhjetëra artikuj, tema e ligjërata të ndryshme. Është koordinator i revistës “Margaritarët e Ramazanit”, botim i Njëshmëria. Deri më tani ka shkruar mbi 65 hutbe, që pritet të botohen në të ardhmen.

  • ·        Ku ka shërbyer

Për herë të parë ka mbajtur hutben në Xhaminë e Balecit në Gjilan. Më vonë edhe në Xhaminë e Madhe dhe shumë xhami të tjera të qytetit dhe jashtë saj. Ka shërbyer si imam gjatë muajit të Ramazanit në fshatin Gadish, në vitin 1996,  në Bresalc në Lagjen e Mihirëve në vitin 1997. Në vitin 2010 ka filluar faljen e namazit të teravive në Xhaminë “Kodra e Dëshmorëve” Gjilan e më pas nga 6 prilli 2012 edhe si imam, hatib e mualim po në këtë xhami.

  • ·        Aktivitet e imamit në xhami

Në Xhaminë “Kodra e Dëshmorëve” organizohen aktivitete të ndryshme, si ligjërata javore, mësim-lexim i Kur’anit, kurse verore për fëmijë, iftare gjatë muajit të Ramazanit, takime të me xhematin, kurse intensive, etj.  

  • ·        A e keni dashur profesionin tuaj dhe sikur të fillonit nga e para, a do ta zgjidhnit sërish këtë profesion?

Nuk ka dyshim se profesionin tim e kam dashur, vazhdoj ta dua dhe mundohem me përkushtim dhe dinjitet që ta mbaj në nivele të larta. Për mua ka qenë ëndërr të bëhem hoxhë dhe ia arrita me ndihmën e Allahut dhe pastaj me përkrahjen e familjes. Por mbetet ende shumë për të punuar në këtë rrugë për sa i përket avancimit personal dhe profesional.

  • ·        Ku jetoni dhe a jeni i martuar?

Jetoj në Gjilan me dy prindërit, gruan dhe katër fëmijët e mi, tri vajza e një djalë.