Zyrtarë nga SHBA-ja, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuar Arabe kanë zhvilluar një takim për të diskutuar planet për Gazën pas përfundimit të luftës, transmeton Anadolu.
Siç raporton ‘AxiosNews’, e cila citon zyrtarë izraelitë, takimi u mbajt në Abu Dhabi të enjten e kaluar.
Në takimin, që u organizua nga shefi i diplomacisë i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahyan, morën pjesë këshilltari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Brett McGurk dhe ministri izraelit për Çështjet Strategjike, Ron Dermer.
Dy zyrtarë të lartë izraelitë të mbrojtjes, që kanë punuar në propozimet e Izraelit për planet e pasluftës, udhëtuan gjithashtu me ministrin Dermer në Abu Dhabi.
Pas bisedimeve 3-ditore në kryeqytetin kinez Pekin, grupet palestineze njoftuan se të gjitha forcat nën ombrellën e Organizatës për Çlirimin e Palestinës ishin “gati për të arritur” një marrëveshje për arritjen e “unitetit gjithëpërfshirës kombëtar” dhe për krijimin e një qeverie të përkohshme konsensusi.
Duke shpërfillur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me reagimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi.
Të paktën 39 mijë palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe rreth 90 mijë të tjerë janë plagosur. Mbi nëntë muaj pas sulmit izraelit, pjesë të gjera të Gazës mbeten në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku mbi 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj.