Zyrtari i Këshillit të Evropës i shqetësuar për rritjen e racizmit kundër muslimanëve në Evropë

Zyrtarë të nivelit të lartë nga Këshilli i Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kanë rënë dakord për të ndërmarrë hapa konkrete për të luftuar racizmin anti-musliman në rritje në Evropë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Daniel Holtgen, përfaqësuesi i posaçëm i Këshillit të Evropës për format anti-semitike, anti-muslimane dhe format e tjera të intolerancës fetare dhe krimet e urrejtjes, ka zhvilluar një takim online me İsmail Hakkı Musa, përfaqësuesin e ri personal të kryesuesit në detyrë të OSBE-së për luftën kundër intolerancës dhe diskriminimit kundër muslimanëve.

Në një postim në llogarinë e tij në twitter, Holtgen tha se ata kanë vërejtur një rritje shqetësuese kundër muslimanëve në Evropë, të ngjashme me rritjen e anti-semitizmin.

“Këshilli i Evropës dhe OSBE-ja janë të përkushtuar të ndalojnë këtë trend”, shkroi ai.

Në një prononcim tjetër, Holtgen tha se e përgëzoi Musa-n për emërimin e tij, duke shtuar se ata ranë dakord të vazhdojnë dhe të ndërtojnë marrëdhëniet e shkëlqyera të vendosura me paraardhësin e tij, si dhe shkëmbyen pikëpamje mbi lirinë e fesë dhe besimit, në veçanti racizmin anti-musliman.

“Ne të dy theksuam rëndësinë e shoqërisë civile dhe angazhimin e të rinjve në luftën kundër të gjitha formave të intolerancës”, tha ai, duke theksuar se ata shikuan “rrugët e mundshme të bashkëpunimit”, si krijimi i praktikave më të mira në “luftën kundër racizmit anti-musliman”.

Më 27 korrik, ambasadori turk u emërua nga Polonia, kryesuesja e OSBE-së për vitin 2022, si përfaqësues personal i kryesisë në detyrë të OSBE-së për luftën kundër intolerancës dhe diskriminimit ndaj muslimanëve.